DELEGACIONI I BE-së NË MAL TË ZI FESTON DITËN E EVROPËS, SATTLER: MALI I ZI PO KTHEHET NË FAMILJEN EVROPIANE

Foto: Evropska kuća

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi organizoi mbrëmjen e së enjtes një pritje solemne në aeroportin sportiv “Shpiro Mugosha” në Podgoricë me rastin e Ditës së Evropës.

Në këtë aktivitet morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve shtetërore dhe lokale, mediave, sektorit civil dhe komunitetit akademik.

Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, tha se Mali i Zi, si një shtet i vjetër evropian, nuk po “i bashkohet” Evropës, por po rikthehet në familjen evropiane ku historikisht e ka vendin.

Ai vlerësoi progresin e arritur në procesin e integrimeve evropiane, duke përmendur mbylljen e 14 kapitujve negociues dhe duke theksuar se vendi ndodhet tashmë në një fazë vendimtare të negociatave me Bashkimin Evropian.

Sattler nënvizoi se përfundimi me sukses i procesit të integrimit kërkon unitet kombëtar dhe bashkëpunim të gjerë politik.

Ai i bëri thirrje shumicës qeverisëse të tregojë më shumë gatishmëri për kompromis dhe bashkëpunim me opozitën, ndërsa opozitës i kërkoi të vazhdojë të mbështesë rrugën evropiane të vendit.

Ambasadori theksoi gjithashtu rëndësinë e qytetarëve, mediave dhe shoqërisë civile në zbatimin e reformave evropiane, duke i cilësuar ata si zë të besueshëm dhe faktorë kyç në rrugëtimin drejt BE-së.

Ai përmendi edhe projektet që Bashkimi Evropian po financon në Mal të Zi, sidomos në fushën e infrastrukturës rrugore, mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të ujërave të ndotura.

SHARE