NË BUDVA INSTITUCIONALIZOHET RRJETI I SEKRETARËVE TË PËRGJITHSHËM TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË MESDHEUT

Foto: CDM

Gjatë takimit të pestë të sekretarëve të përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (PAM), që po mbahet në Budva, u nënshkrua Statuti i Rrjetit të sekretarëve të përgjithshëm të PAM-it, duke e institucionalizuar zyrtarisht këtë iniciativë.

Nga Kuvendi i Malit të Zi u bë e ditur se krijimi i rrjetit synon forcimin e bashkëpunimit administrativ, profesional dhe institucional ndërmjet parlamenteve të vendeve anëtare të PAM-it. Iniciativa u ndërmor nga sekretarët e përgjithshëm të parlamenteve të Malit të Zi, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Marokut.

Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Malit të Zi, Boban Stanishiq, deklaroi se themelimi i rrjetit përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të diplomacisë parlamentare dhe lidhjeve më efikase ndërmjet administratave parlamentare në rajonin e Mesdheut dhe më gjerë.

Sipas njoftimit, rrjeti do të shërbejë si platformë e përhershme për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në fusha si modernizimi i punës parlamentare, digjitalizimi, inteligjenca artificiale, trajnimi i stafit parlamentar dhe koordinimi ndërparlamentar.

Po ashtu, rrjeti pritet të mundësojë bashkëpunim më të drejtpërdrejtë në organizimin e aktiviteteve parlamentare, reformën administrative dhe transformimin digjital.

Në takimin e ardhshëm do të zgjidhet edhe udhëheqja e rrjetit, si dhe do të përcaktohen prioritetet dhe aktivitetet e ardhshme.

SHARE