SHBA DHE IRANI DREJT NJË MARRËVESHJEJE TË PËRKOHSHME PËR NDALIMIN E KONFLIKTIT

SHBA dhe Irani duket se po shkojnë drejt një marrëveshjeje të përkohshme për të ndaluar luftën, sipas burimeve dhe zyrtarëve që folën për Reuters. Të dyja palët po punojnë mbi një plan-kornizë që synon ndalimin e armiqësive, pa zgjidhur megjithatë çështjet më të rëndësishme që i ndajnë.

Sipas informacioneve, marrëveshja nuk do të jetë një traktat i plotë paqeje, por një memorandum mirëkuptimi afatshkurtër, çka tregon se diferencat mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të thella. Çështjet kryesore lidhen me programin bërthamor iranian, rezervat e uraniumit të pasuruar dhe kohëzgjatjen e pezullimit të aktiviteteve bërthamore të Iranit.

Tre fazat e planit

Burimet bëjnë të ditur se plani i propozuar përfshin tre etapa kryesore:

  • shpalljen zyrtare të përfundimit të konfliktit,
  • zgjidhjen e krizës në Ngushticën e Hormuzit,
  • dhe një periudhë 30-ditore negociatash për një marrëveshje më të gjerë.

Një zyrtar i lartë pakistanez, deklaroi për Reuters se prioriteti kryesor është “të shpallet fundi i përhershëm i luftës”, ndërsa çështjet e tjera të diskutohen më vonë.

Sipas burimeve diplomatike, memorandumi njëfaqësh për ndalimin e konfliktit është pranë finalizimit, edhe pse ende ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme mes palëve.

SHARE