Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Barazia gjinore duhet të jetë pjesë thelbësore e reformave ekonomike, tregut të punës dhe procesit të integrimeve evropiane, sepse pa pjesëmarrjen e plotë të grave nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi më konkurruese dhe shoqëri më të drejtë, u theksua në hapjen e dialogut rajonal “Gratë udhëheqin: ekonomia, aleancat dhe e ardhmja e integrimeve”, që po mbahet në Budvë.
Ngjarja dyditore organizohet nga Ministria e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Në të marrin pjesë përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, sektorit të biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile nga rajoni dhe Evropa.
Gjatë diskutimeve u prezantuan të dhëna që tregojnë se gratë përbëjnë pothuajse dy të tretat e popullsisë joaktive dhe të papunë në moshë pune në rajon, ndërsa një numër i madh i ndërmarrjeve të udhëhequra nga gratë përballen me vështirësi në qasjen në financa, gjë që kufizon zhvillimin e tyre ekonomik.
Duke hapur dialogun, ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se qëllimi nuk është vetëm përafrimi formal me standardet evropiane në fushën e barazisë gjinore, por që Mali i Zi të bëhet lider rajonal në mënyrën se si ato zbatohen në praktikë. Ajo shtoi se gratë tashmë po tregojnë lidership në institucione, ekonomi dhe shoqëri, por sistemi duhet të përshtatet për ta shfrytëzuar plotësisht këtë potencial.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Ekaterina Paniklova, u fokusua në zgjidhje konkrete, si përmirësimi i qasjes në financa, forcimi i shërbimeve për kujdesin ndaj fëmijëve dhe krijimi i mundësive në sektorët digjitalë dhe të gjelbër. Ajo theksoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në ekonomi është një nga mënyrat më të drejtpërdrejta për forcimin e zhvillimit ekonomik dhe arritjen e rezultateve të prekshme për qytetarët.
Nga ana e Bashkimit Evropian, u theksua se BE-ja vazhdon të forcojë politikat për barazinë gjinore dhe mbetet e përkushtuar në promovimin e të drejtave të grave, pavarësisht sfidave globale në këtë fushë. Në përfundim të diskutimeve u nënvizua se lidershipi politik ka përgjegjësi kyçe për të siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave si vendimmarrëse dhe aktore ekonomike, në përputhje me reformat në procesin e anëtarësimit në BE dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.









