Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka deklaruar se problemi i blerjes së tepricës së qumështit nga prodhuesit vendas duhet të zgjidhet në një afat sa më të shkurtër, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kyçe për stabilitetin e sektorit bujqësor.
Pas takimit me fermerët në Mal të Zi dhe përfaqësuesit e industrisë së qumështit, Spajiq tha se janë shqyrtuar sfidat aktuale dhe janë diskutuar zgjidhje të mundshme.
“Blerja e tepricës së qumështit nga prodhuesit e Malit të Zi duhet të zgjidhet në një kohë sa më të shkurtër”, u shpreh ai.
Ai shtoi se përveç masave urgjente, janë analizuar edhe zgjidhje afatgjata për përmirësimin e prodhimit të qumështit dhe produkteve të tij.
“Janë shqyrtuar problemet me të cilat përballen dhe janë diskutuar zgjidhje afatshkurtra, si dhe ato që në afatgjatë do të përmirësojnë gjendjen në sektorin e prodhimit bujqësor”, tha Spajiq.
Kryeministri theksoi se për tejkalimin e situatës aktuale është e domosdoshme koordinimi i të gjitha palëve relevante.
“Për zgjidhjen e problemit të krijuar është e nevojshme përfshirja e të gjitha palëve, të cilat do të kontribuojnë në ruajtjen dhe stabilitetin e prodhimit vendas”, theksoi Spajiq.










