TRIVIQ: REALIZOHET ME SUKSES TESTIMI I JASHTËM I NJOHURIVE PËR NXËNËSIT E KLASËS SË NËNTË

Foto: Qendra e Provimeve / Ispitni centar Crne Gore

Procesi i testimit të jashtëm të njohurive në fund të ciklit të tretë të shkollës fillore (matura e vogël) është realizuar me sukses, njoftoi drejtori i Qendrës së Provimeve të Malit të Zi, Millosh Triviq.

Sipas tij, këtë vit më shumë se shtatë mijë nxënës të klasës së nëntë iu nënshtruan provimeve nga Gjuha dhe Letërsia malazeze-serbe-boshnjake-kroate, përkatësisht Gjuha dhe Letërsia shqipe, Matematika, si dhe një lëndë zgjedhëse.  

Sa i përket lëndës zgjedhëse, nxënësit mund të zgjidhnin mes Gjuhës Angleze, Gjuhës Gjermane, Gjuhës Italiane, Gjuhës Ruse dhe Gjuhës Franceze, si dhe Gjeografisë, Historisë, Kimisë, Biologjisë dhe Fizikës.

“Në bazë të informacioneve të dorëzuara nga drejtorët e shkollave dhe supervizorët e Qendrës së Provimeve, mund të konstatohet se i gjithë procesi i provimeve është zhvilluar në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara, pa parregullsi të mëdha apo shkelje të rregullave të sjelljes. Falënderojmë nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe drejtorët”, thuhet në njoftim.

Ai falënderoi edhe Policinë e Malit të Zi, e cila me aktivitetet parandaluese kontribuoi në ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe mundësoi zhvillimin e provimeve në përputhje me rendin dhe qetësinë publike.

Triviq theksoi se testimi i jashtëm këtë vit u realizua me model të përmirësuar, sipas të cilit testet nuk korrigjohen më në shkolla, por vlerësimi bëhet në Qendrën e Provimeve në format digjital.

Ndryshe nga praktika e deritanishme, kur testet korrigjoheshin nga tre vlerësues në shkolla për një numër të caktuar nxënësish, modeli i ri përfshin vlerësimin e të gjithë popullatës, më shumë se 21 mijë testeve.

Duke pasur parasysh vëllimin e punës dhe faktin se çdo detyrë vlerësohet dy herë, me përfshirjen e një vlerësuesi të tretë në rast mospërputhjeje, ai theksoi se nevojitet kohë shtesë që procesi të realizohet me cilësi dhe sipas standardeve.

Nxënësit do të kenë të drejtën e qasjes në testet e tyre përmes një platforme digjitale, duke përdorur kodet që kanë marrë gjatë provimit, ndërsa prindërit, mësimdhënësit dhe opinioni do të informohen me kohë përmes shkollave.

SHARE