Foto: Ilustrim
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës – 1 Majit, ditë pushimi do të jenë e premtja, 1 maj dhe e shtuna, 2 maj.
Ata rikujtojnë të gjitha subjektet ekonomike që merren me tregti me shumicë dhe pakicë se janë të detyruara të respektojnë dispozitat e Ligjit për tregtinë e brendshme, sipas të cilit tregtia nuk mund të ushtrohet të dielave, si dhe gjatë festave shtetërore dhe festave të tjera të përcaktuara me ligj.
“Paralajmërojmë dhe apelojmë te të gjitha subjektet që të veprojnë në përputhje me rregullat, në mënyrë që të shmangin masat administrative nga organet kompetente, përfshirë edhe gjobat”, thuhet në njoftim.
Nga ministria theksojnë se inspektorët mund të mbyllin objektin tregtar nëse konstatohet se ai po punon në kundërshtim me ligjin gjatë periudhës së ndaluar.
“Në përputhje me ligjin, inspektori do të mbyllë objektin tregtar ose vendin e shitjes për periudhën në të cilën puna nuk lejohet”, shtohet më tej.
Po ashtu, u bëhet thirrje subjekteve ekonomike që të respektojnë me përpikëri obligimet ligjore për të kontribuar në zbatimin e plotë të tyre.
Gjatë ditëve të festës, Drejtoria e Inspektoratit të Tregut do të zhvillojë kontrolle të shtuara për zbatimin e këtyre dispozitave.










