ÇMIMI I NAFTËS NË NIVEL REKORD, ARRIN NË 126 DOLLARË PËR FUÇI, TRUMP: BLLOKADA MUND TË ZGJASË PA AFAT

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare vijojnë rritjen edhe këtë të enjte, të nxitura nga përshkallëzimi i tensioneve në Gjirin Persik dhe pasiguritë në sektorin global të energjisë.

Nafta  Brent ka shënuar një rritje të ndjeshme duke arritur në 126  dollarë për fuçi,  niveli më të lartë i regjistruar që nga viti 2022.

Kjo vjen në një kohë kur situata gjeopolitike në rajon është  mjaft delikate.

Irani ka kufizuar në masë të madhe qarkullimin detar në Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar kryesisht vetëm eksportet e tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë dhe kontrollet detare ndaj anijeve iraniane.

Ndërkohë, nga Uashingtoni vijnë sinjale për masa të mëtejshme. Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar mundësinë e një bllokade afatgjatë ndaj porteve iraniane, një zhvillim që ka rritur shqetësimet në tregjet ndërkombëtare.

Sipas burimeve nga administrata amerikane,  presidenti Donald Trump ka zhvilluar takime me drejtues të kompanive të mëdha të naftës për të diskutuar mënyrat e përballimit të pasojave të një bllokade të zgjatur.

Në një deklaratë për mediat, Trump është shprehur se presioni ndaj Iranit pritet të shtohet në vijim.

“Bllokada është më efektive sesa bombardimi. Ata po mbyten ekonomikisht dhe situata do të përkeqësohet edhe më shumë. Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore”, tha Trump.

Lufta është gati të hyjë në javën e saj të 10-të, pavarësisht parashikimeve fillestare të Trump për një konflikt maksimumi 6 javësh.

SHARE