Foto: UNICEF
UNICEF ka paralajmëruar për një rënie të madhe të mbulimit me vaksinim në Mal të Zi, veçanërisht për vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës), në kuadër të Javës Botërore të Imunizimit.
Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, vetëm 13% e fëmijëve të lindur në vitin 2024 kanë marrë dozën e parë të MMR-it.
Kjo është një rënie shumë e madhe krahasuar me 88% në vitin 2013, dhe është shumë nën nivelin prej 95% që nevojitet për imunitetin kolektiv.
Kjo situatë rrit ndjeshëm rrezikun e shpërthimit të epidemive të fruthit.
UNICEF thekson se fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse në botë dhe mund të shkaktojë pasoja shumë të rënda, madje edhe vdekje, sidomos te fëmijët nën 5 vjeç dhe ata me imunitet të dobët.
Organizata paralajmëron se kur bie niveli i vaksinimit, sëmundja përhapet shumë shpejt dhe më së shumti preken fëmijët e pavaksinuar.
Po ashtu, UNICEF thekson se në nivel global, fruthi shkakton rreth 300 vdekje në ditë, kryesisht te fëmijët e vegjël, dhe se në më shumë se 100 vende janë regjistruar epidemi të mëdha në pesë vitet e fundit.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Mikele Servadei, tha se me këtë nivel të ulët vaksinimi, shumica e fëmijëve janë të pambrojtur dhe se nuk është më çështje “nëse”, por “kur” do të ndodhë një epidemi, nëse situata nuk përmirësohet.
UNICEF rikujton se vaksina MMR është e sigurt dhe shumë efektive, duke ofruar deri në 99% mbrojtje me dy doza, dhe se ajo ka shpëtuar mbi 90 milionë jetë gjatë dekadave të përdorimit.










