LUFTA PO SHTRENJTON ILAÇET, BLLOKIMI I NGUSHTICËS SË HORMUZIT RRIT KOSTOT E PRODHIMIT TË FARMACEUTIKËS

Nëse bllokimi i ngushticës së Hormuzit do të zgjasë për shumë kohë, pritet të rriten çmimet e barnave, madje gjatë verës parashikohet të ketë edhe mungesa në tregun farmaceutik në Shqipëri dhe në vendet e Europës.

Ekspertë të huaj vlerësojnë se përveç rritjes së çmimit të karburanteve, ku për pasojë transporti bëhet më i shtrenjtë, rrjedhimisht edhe faturat e energjisë elektrike do të jenë më të larta për bizneset dhe familjet europiane, e kështu do të ketë edhe rritje të çmimeve të ushqimeve.

Përsa i përket barnave, shqetësimi është edhe më i madh, sepse shumë kompani farmaceutike në Europë, për prodhimin e barnave, varen nga lëndët e para që u vijnë nga Kina dhe India.

Nëse transporti ngadalësohet ose kushton shumë, këto kosto reflektohen menjëherë në çmimin e barnave që hidhen në treg. Ekspertë të sektorit farmaceutik thonë se rritja e kostove të prodhimit të barnave mund të sjellë mungesa të disa barnave gjatë muajve të verës. E për pasojë mund të vonohen furnizimet në farmaci dhe në spitale.

E kjo, jo vetëm për Shqipërinë, ku mungesa e barnave është e zakonshme, por edhe për vendet e Bashkimit Europian. Ndaj këtë verë të gjithë sy e veshë nga Hormuzi, pasi prej tij varen sektorë të rëndësishëm si turizmi, ekonomia, shëndetësia e të tjera.

SHARE