Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, nuk beson se zgjedhjet e ardhshme të vitit 2027 do të mbahen sipas një sistemi të ri zgjedhor me lista të hapura, sepse Komisioni që merret me këtë çështje nuk po funksionon.
Camaj vlerëson se opozita do ta kuptojë se ka gabuar dhe do të kthehet në atë komision parlamentar.
Thirrja e ambasadorit të BE-së në Mal të Zi Johan Sattler që reforma zgjedhore të zbatohet deri në fund ka hasur në reagime pozitive si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.
Megjithatë, nënkryetari Camaj vlerëson se është e vështirë që deri në zgjedhjet e ardhshme të qershorit 2027 ky proces të përfundojë.
“Por është shumë e vështirë që diçka e tillë të ndryshohet brenda natës me kërkesë të opozitës, e cila nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi, ose nuk është në këtë moment. Pres që megjithatë të kuptojnë se kanë gabuar që u larguan nga komisionet për shkak të mosmarrëveshjeve rreth miratimit të dy ligjeve, të cilat gjithashtu janë evropiane”, tha Camaj.
Camaj thekson se listat e hapura janë një zgjidhje e mirë, por do të duhet të presin kohë më të mira, sepse aktualisht nuk po funksionon Komisioni për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore.
“Mendoj se ajo është diçka që i përket së ardhmes së Malit të Zi, dhe është shumë e rëndësishme që qytetarët të zgjedhin më të mirët tek të cilët kanë besim, më mirë sesa partitë pastaj të bëjnë përzgjedhjen. Por mendojmë se të paktën në këto zgjedhje, pikërisht për shkak të kësaj situate me opozitën, është e pamundur të arrihet kjo,” shton ai.










