Foto: EU Info centar
Zyrtarët e Malit të Zi kanë bërë të ditur se pritet së shpejti mbyllja e Kapitullit 14 të negociatave me Bashkimin Evropian, i cili lidhet me politikën e transportit dhe harmonizimin e sistemit të transportit të vendit me atë të BE-së.
Shefi i grupit punues negociator, Nikolla Veloviq, tha se ky kapitull është një nga më kompleksët, pasi përfshin transportin rrugor, hekurudhor, ajror dhe detar.
Sipas tij, Mali i Zi ka bërë përparim të madh në përafrimin e legjislacionit me atë evropian dhe tashmë janë krijuar kushtet për zbatimin e politikave sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të pasagjerëve.
Veloviq theksoi se qytetarët do të kenë të njëjtat të drejta si në vendet e BE-së. Kjo do të thotë se në rast vonesash në transport, pasagjerët do të kenë të drejtë kompensimi, rimbursimi të biletës ose transport alternativ, ndërsa në raste më të rënda parashihen edhe dëmshpërblime për familjet.
Ai shtoi se tashmë të drejtat e pasagjerëve në aviacion janë të harmonizuara me standardet evropiane, ndërsa tani kjo po zbatohet edhe në transportin rrugor dhe hekurudhor.
Zyrtarët po ashtu theksuan se vendi po punon për përmirësimin e sigurisë në trafik dhe mbrojtjen e mjedisit, duke kufizuar importin e automjeteve shumë të vjetra dhe duke kaluar gradualisht në standardin Euro 5.
Në kuadër të këtij procesi, Mali i Zi synon gjithashtu zhvillimin e transportit të qëndrueshëm, sidomos atij hekurudhor, si dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore, energjetike dhe telekomunikuese me mbështetjen e fondeve evropiane.
Sipas autoriteteve, rezultatet konkrete të investimeve dhe projekteve në transport, hekurudha dhe energji pritet të ndihen nga qytetarët në tre deri në pesë vitet e ardhshme.
Megjithatë, ata theksuan se përfitimet nga fondet e plota të BE-së do të jenë të disponueshme vetëm pas anëtarësimit, ndërsa vendi duhet të vazhdojë të forcojë kapacitetet institucionale për menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.
Në fund, u theksua se Evropa nuk do të ndalojë përdorimin e automjeteve të vjetra, por po vendos standarde për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë në trafik, duke lënë hapësirë për një balancë mes standardeve evropiane dhe mundësive ekonomike të qytetarëve.










