AUSTRIA RIAFIRMON MBËSHTETJEN PËR ANËTARËSIMIN E MALIT TË ZI NË BE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Një delegacion i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian të Këshillit Federal të Austrisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Kuvendin e Malit të Zi, me fokus në mbështetjen e procesit të integrimit evropian dhe përparimin e vendit në negociatat me Bashkimin Evropian.

Gjatë takimeve me Komisionin për Integrime Evropiane dhe Komisionin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigracion, u vlerësua progresi i Malit të Zi në fazën përfundimtare të negociatave dhe u ritheksua mbështetja e fortë e Austrisë për anëtarësimin e vendit në BE.

Në takim, u diskutuan reformat, përafrimi i legjislacionit me të drejtën e Bashkimit Evropian, përdorimi i fondeve evropiane, forcimi i institucioneve dhe bashkëpunimi rajonal.

Nënkryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj, theksoi se perspektiva evropiane e rajonit është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin afatgjatë të Evropës. Ai vlerësoi Austrinë si një nga përkrahëset më të forta të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe si pjesë aktive e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se kjo mbështetje është një nxitje e rëndësishme për rrugën evropiane të Malit të Zi dhe të gjithë rajonit.

Nga pala malazeze u theksua se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme drejt përmbylljes së negociatave me BE-në, ndërsa Austria rikonfirmoi gatishmërinë për të mbështetur hapat përfundimtarë të anëtarësimit, si dhe rëndësinë e luftimit të dezinformimit rreth procesit të zgjerimit.

Po ashtu, u diskutua roli i Malit të Zi në proceset rajonale dhe evropiane, përfshirë presidencën e Procesit të Berlinit dhe organizimin e samitit BE–Ballkani Perëndimor.

SHARE