ISHP: IMUNIZIMI ËSHTË NJË NGA MASAT MË TË MIRA PËR RUAJTJEN E SHËNDETIT

Foto: Ilustrim

Instituti për Shëndetin Publik ka deklaruar se imunizimi është një nga masat më efektive për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe për ruajtjen e shëndetit të popullatës, me rastin e Javës Evropiane të Imunizimit.

Fushata e ISHP-së zhvillohet nën sloganin “Për çdo brez – vaksinat funksionojnë”, me qëllim rritjen e mbulimit me vaksinim dhe forcimin e besimit te vaksinat.

Sipas Institutit, përmes imunizimit parandalohen sëmundje të shumta si poliomieliti, difteria, tetanusi, kolla e mirë, hepatiti B, fruthi dhe infeksione të tjera që mund të kenë pasoja të rënda, sidomos tek fëmijët.

Po ashtu, vaksinat vlerësohet se shpëtojnë rreth katër milionë jetë çdo vit në mbarë botën.

Megjithatë, pavarësisht disponueshmërisë së vaksinave, mbeten sfida në arritjen e mbulimit optimal, ndaj theksohet nevoja për informim të vazhdueshëm të qytetarëve dhe forcim të besimit në imunizim, veçanërisht tek prindërit e fëmijëve të vegjël.

Në kuadër të Javës Evropiane të Imunizimit, ISHP organizon edhe një seminar vjetor me pjesëmarrje ndërkombëtare në Beçiqi, nga 22 deri më 24 prill, me temën “Zbatimi i rekomandimeve më të reja për praktikën e mirë të imunizimit në vitin 2026”.

Në seminar marrin pjesë punonjës shëndetësorë nga vendi dhe rajoni, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e praktikave të vaksinimit.

Instituti për Shëndetin Publik thekson se punonjësit shëndetësorë janë burimi më i besueshëm i informacionit për vaksinat, ndërsa vendimi i prindërve për vaksinimin e fëmijëve ndihmon në mbrojtjen e të gjithë komunitetit, veçanërisht të grupeve më të rrezikuara.

SHARE