Foto: Shutterstock
Nga sot, baballarët në Mal të Zi mund të përdorin të drejtën për dhjetë ditë pushim të atësisë pas lindjes së fëmijës, e parashikuar nga ndryshimet në Ligjin e Punës, të cilat hynë në fuqi tetë ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Versioni i ri i Ligjit të Punës parashikon gjithashtu një pushim prindëror më të gjatë, në kohëzgjatje prej 14 muajsh, nga të cilët dy muaj janë të rezervuar ekskluzivisht për baballarët.
Megjithatë, kjo risi do të fillojë të zbatohet vetëm pasi Mali i Zi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
Me këto ndryshime, të miratuara nga Kuvendi i Malit të Zi, pushimi i atësisë është futur për herë të parë në legjislacionin vendor, me qëllim nxitjen e përfshirjes më të madhe të baballarëve në kujdesin për fëmijët që nga momentet e para.
Ligji parashikon që etërit e fitojnë të drejtën për dhjetë ditë pune pushim që nga dita e lindjes së fëmijës. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që, në të ardhmen, pushimi prindëror të zgjatet nga 12 në 14 muaj, por kjo dispozitë do të zbatohet vetëm pas anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
Brenda këtij modeli, dy muaj të pushimit do të jenë të rezervuar vetëm për baballarët dhe nuk mund t’i transferohen nënës.
Nga Ministria e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social është bërë e ditur se këto ndryshime vendosin standarde minimale në fushën e pushimit të atësisë dhe atij prindëror, si dhe sjellin kushte më fleksibile pune për prindërit e punësuar dhe kujdestarët.
Siç është sqaruar, qëllimi i futjes së pushimit të atësisë është të inkurajohet një ndarje më e barabartë e përgjegjësive ndërmjet prindërve.
Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe mundësinë e punës fleksibile për prindërit dhe kujdestarët, përfshirë përshtatjen e orarit të punës, punën me kohë të pjesshme ose punën nga shtëpia, në përputhje me nevojat e familjes dhe punëdhënësit.











