Foto: Ilustrim
Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar krijimin e një Grupi pune ad hoc për përgatitjen e Traktatit të Pranimit me Malin e Zi, sipas informatave nga RTMZ në Bruksel.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), ndërsa kryesimi i Qipros në Këshillin e BE-së ka bërë të ditur se është punuar intensivisht që grupi të themelohet sa më shpejt, duke pasur parasysh punën e gjatë teknike që duhet përfunduar para fillimit të hartimit të vetë Traktatit të Pranimit.
Nga presidenca e Qipros është theksuar se ky hap dërgon një mesazh të qartë se anëtarësimi në BE është i arritshëm për vendet e procesit të zgjerimit.
Po ashtu, është theksuar se marrëveshja e pranimit të Malit të Zi do të jetë e para që do të përfshijë mekanizma të rinj mbrojtës, siç ka deklaruar edhe komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke nënvizuar nevojën që BE-ja të përgatitet institucionalisht, politikisht dhe financiarisht për zgjerimin.
Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur 14 kapituj negociues në procesin e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.










