GORÇEVIQ: MALIN E ZI E SHOHIM SI NJË URË STRATEGJIKE NDËRMJET BALLKANIT PERËNDIMOR DHE BASHKIMIT EVROPIAN

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, deklaroi se Mali i Zi e sheh veten si një urë strategjike mes Ballkanit Perëdimor dhe Bashkimit Evropian, si dhe një partner të besueshëm që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe në politikën e zgjerimit.

Ajo theksoi se vendi ka hyrë në fazën më intensive dhe sfiduese të negociatave për anëtarësim, me synimin për t’u bërë anëtari i radhës deri në vitin 2028.

Sipas saj, që nga viti 2023 ka pasur përparim të madh në reforma dhe tashmë ekziston vullnet i qartë politik për rezultate konkrete.

Gorçeviq nënvizoi se procesi i integrimit përfshin:

  • harmonizimin e ligjeve me standardet e BE-së,
  • forcimin e infrastrukturës dhe institucioneve,
  • zhvillimin e kapaciteteve administrative.

Ajo shtoi se mbyllja e kapitujve të negociatave nuk është thjesht procedurë teknike, por transformim i thellë shtetëror që sjell përfitime direkte për qytetarët.

Gjithashtu u theksua rëndësia e pushtetit lokal, pasi rreth 70% e politikave të BE-së zbatohen në nivel komunal, ndaj po punohet për përgatitjen e tyre për fondet dhe standardet evropiane.

Në fund, ministrja theksoi se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj rrugës evropiane pa “shkurtore”, me synimin për t’u anëtarësuar si një shtet i përgatitur dhe i barabartë.

SHARE