Foto: Komuna e Tuzit
Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, nënshkroi një marrëveshje donacioni me Qendrën Shëndetësore të Kryeqytetit, përkatësisht me drejtoreshën, Dragana Durkoviq, me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e kësaj komune.
Siç deklarojnë ata, kjo kontratë siguroi burime financiare në vlerë prej 30,000 eurosh, të cilat do të drejtohen për adaptimin dhe pajisjen e hapësirës për fizioterapi në objektin shëndetësor në Tuz.
Ata shtojnë se ky investim synon përmirësimin e cilësisë së trajtimeve të rehabilitimit, si dhe lehtësimin e aksesit në shërbimet moderne të fizioterapisë, pa pasur nevojë të udhëtohet në qytete të tjera.
“Përfaqësuesit e të dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe theksuan se projekte të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe forcimin e sistemit shëndetësor lokal”, thuhet në njoftim.










