RRITEN ÇMIMET E NAFTËS, NGUSHTICA E HORMUZIT E KUFIZUAR PËR LËVIZJE

Çmimet e naftës janë rritur të dielën, pasi Irani ka bllokuar sërish kalimin e shumicës së anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e rreth një të pestës së naftës botërore. Kjo situatë vjen në një kohë kur armëpushimi i brishtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po i afrohet skadimit të mërkurën.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit me rreth 7%, duke arritur në 96.88 dollarë për fuçi, pasi të premten kishte shënuar nivelin më të ulët që nga 10 marsi, pas lajmeve se Irani do ta rihapte ngushticën. Ndërkohë, nafta amerikane u rrit gjithashtu me 7%, duke arritur në 90.33 dollarë për fuçi, raporton CNN.

Megjithatë, të shtunën Irani njoftoi se do ta mbyllte sërish rrugën detare për shumicën e trafikut, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për “shkelje të besimit”. Në zhvillime të tjera, marina amerikane ka qëlluar dhe sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian, e cila kishte tentuar të shmangte bllokadën në Gjirin e Omanit, duke rritur më tej tensionet në rajon.

Sipas të dhënave të monitorimit, të dielën nuk është regjistruar kalimi i asnjë tankeri përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, çmimet e benzinës në SHBA janë arritur mesatarisht në 4.05 dollarë për gallon. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi se çmimet mund të mos bien nën 3 dollarë për gallon deri vitin e ardhshëm, duke mos përjashtuar mundësinë që ky nivel të arrihet edhe më vonë gjatë këtij viti.

SHARE