Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq deklaroi në Berlin se Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet një “zbrazëti gjeopolitike”, pasi çdo vonesë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian krijon hapësirë për destabilizim dhe ndikim të aktorëve që nuk ndajnë vlerat evropiane.
Gjatë një ligjërate në Universitetin Humboldt, ai theksoi se Evropa ndodhet në një moment të rëndësishëm gjeopolitik dhe se BE duhet të forcojë aftësinë e saj të veprimit dhe autonominë.
Sipas tij, politika e zgjerimit po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi për stabilitetin dhe të ardhmen afatgjatë të BE-së.
Millatoviq theksoi se një model i qëndrueshëm i zgjerimit kërkon që vendet kandidate të zbatojnë reforma të thella, të forcojnë institucionet dhe sundimin e ligjit, ndërsa BE duhet të ofrojë një perspektivë të qartë dhe të parashikueshme të anëtarësimit.
Ai e prezantoi Malin e Zi si kandidatin më të avancuar për anëtarësim, me synimin që të bëhet anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2028, duke theksuar se procesi i integrimit është edhe mjet për reforma të brendshme, depolitizim të institucioneve dhe forcim të demokracisë.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te e ardhmja e BE-së, duke theksuar nevojën për thellim të integrimit, heqjen e barrierave të brendshme dhe forcimin e tregut të përbashkët për të rritur konkurrueshmërinë dhe inovacionin.
Në fund, Millatoviq theksoi se Mali i Zi synon të jetë pjesë e zgjidhjes dhe një partner i besueshëm brenda Bashkimit Evropian, si një shtet stabil, demokratik dhe ekonomikisht i zhvilluar.










