Foto: Mirko Kotlaš
Ekonomisti Mirza Mulleshkoviq ka vlerësuar se kërkesat e transportuesve janë të arsyeshme dhe ka bërë thirrje që autoritetet shtetërore të tregojnë më shumë vullnet për dialog, me qëllim zgjidhjen e problemeve që prej kohësh po rëndojnë këtë sektor.
Sipas tij, këto çështje nuk janë të reja, por janë ngritur edhe më parë, pa marrë ende zgjidhje konkrete.
Ai thekson se sektori i transportit është veçanërisht i goditur në kushtet aktuale ekonomike, për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit dhe pasigurisë në tregun e energjisë.
Megjithatë, Mulleshkoviq paralajmëron se bllokadat nuk janë të mira për ekonominë, pasi ato ngadalësojnë aktivitetin ekonomik, rrisin kostot dhe ulin konkurrueshmërinë e vendit.
Protesta e transportuesve, e organizuar nga Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi, ka nisur në pikat kufitare dhe përfshin rreth 140 kamionë dhe mjete të rënda.
Ajo pritet të zgjasë disa ditë, por organizatorët kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, bllokadat mund të vazhdojnë edhe më tej.
Ndër kërkesat kryesore të transportuesve janë përshpejtimi i kthimit të TVSH-së (që sipas ligjit duhet të bëhet brenda 30–60 ditëve), rimbursimi i akcizave dhe përmirësimi i punës së inspektorëve në kufi. Fillimisht, protesta synonte të tërhiqte vëmendjen për sfidat që priten nga zbatimi i sistemit evropian EES për kontrollin e hyrje-daljeve në BE, por më pas lista e kërkesave është zgjeruar.
Autoritetet dhe transportuesit kanë pasur negociata edhe më herët gjatë vitit, por pa rezultate konkrete, çka ka çuar në përsëritjen e bllokadave. Ndërkohë, është bërë e ditur se bllokada nuk ndikon në transportin e barnave, kafshëve dhe materialeve të rrezikshme, për të shmangur pasoja më të rënda.









