Komisioni Evropian se shpejti do të prezantojë aplikacionin e ri i cili mundëson verifikimin e moshës. Kjo po bëhet me qëllim të mbrojtjes së të miturëve nga përmbajtja e dëmshme online dhe varësia që konsiderohet shqetësuese. Pritet që këtë aplikacion ta praktikojnë edhe shtete që nuk janë anëtare të Be-së.
Komisioni Evropian ka intensifikuar përpjekjet për ta bërë hapësirën digjitale më të sigurt për fëmijët.
Sipas të dhënave zyrtare, çdo i gjashti fëmijë përjeton bullizëm online, ndërsa çdo i teti ekspozohet ndaj përmbajtjeve të dëmshme.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, insiston se është detyra jonë të mbrojmë fëmijët në botën online, ashtu siç bëjmë në botën offline, andaj nevojitet një qasje e harmonizuar evropiane.
“Aplikacioni ynë evropian për verifikimin e moshës është teknikisht gati dhe së shpejti do të jetë i disponueshëm për t’u përdorur nga qytetarët. Ky aplikacion do t’u lejojë përdoruesve të vërtetojnë moshën e tyre kur hyjnë në platformat online, ashtu siç dyqanet kërkojnë prova të moshës për njerëzit që blejnë pije alkoolike”, ka thënë Von der Leyen.
Aplikacioni mund të përdoret në secilin mjet, ndërsa Komisioni Evropian pret që këtë ta përdorin edhe vendet jashtë BE-së, duke e bërë standard ndërkombëtar për mbrojtjen e fëmijëve online.
Platformat akuzohen se, përmes dizajnit të tyre, nxisin varësi dhe përdorim të pakontrolluar nga të miturit.
“Platformat e mediave sociale ofrojnë dizajne shumë problematike – lëvizje të pafundme që ushqejnë varësinë, video të shkurtra që kapin vëmendjen, përmbajtje shumë të personalizuar dhe të synuar. Sasia e kohës që fëmijët tanë kalojnë duke parë ekranet nuk ka qenë kurrë kaq e lartë. Dhe kjo është kohë që ata nuk e kalojnë në shesh lojërash me bashkëmoshatarët e tyre. Sa më shumë kohë që kalojnë në internet, aq më shumë ka të ngjarë që të ekspozohen ndaj përmbajtjes së dëmshme dhe të paligjshme”, ka thënë tutje Von der Leyen.
Komisioni Evropian dërgoi mesazh edhe tek gjigantët e teknologjisë. Ai porositi se platformat nuk mund të shmangin më përgjegjësinë. Nëse nuk zbatojnë rregullat për mbrojtjen e të miturve, ato do të konsiderohen përgjegjëse dhe do të përballen me pasoja konkrete.








