MAGYAR FITON ZGJEDHJET NË HUNGARI, ORBAN E PRANON HUMBJEN

Pas 16 vitesh në pushtet, epoka e kryeministrit hungarez Viktor Orbán ka marrë fund, pasi rivali i tij Péter Magyar ka siguruar një fitore bindëse në zgjedhjet e djeshme.

Rezultatet paraprake, me mbi 98% të votave të numëruara, tregojnë se partia Tisza është në rrugën e duhur për të fituar rreth 138 vende në parlamentin me 199 ulëse, duke siguruar shumicën e nevojshme për ndryshime kushtetuese.

Ndërkohë, partia Fidesz e Orbánit pritet të marrë rreth 55 mandate.

“Ne ia dolëm… së bashku përmbysëm regjimin”, deklaroi Magyar para mijëra mbështetësve të mbledhur në Budapest.

Fitorja e tij pritet të sjellë një kthesë të fortë në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit.

Magyar ka premtuar të zhbëjë reformat e epokës së Orbánit, të luftojë korrupsionin dhe të rikthejë pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të çmontojë sistemin e patronazhit të njohur si ‘NER’.

Në arenën ndërkombëtare, ndryshimi i pushtetit pritet të ndikojë edhe në raportet me Bashkimin Evropian dhe Ukrainën. Orbán kishte ndërtuar marrëdhënie të afërta me Donald Trump dhe Vladimir Putin, duke u përplasur shpesh me Brukselin.

Nga ana tjetër, Magyar ka premtuar afrimin e Hungarisë me BE-në dhe distancimin nga Rusia. Ai synon gjithashtutë zhbllokojë miliarda euro fonde të ngrira nga Komisioni Evropian për shkak të shqetësimeve mbi korrupsionin dhe shtetin e së drejtës.

Pjesëmarrja në votime arriti një rekord prej 79.5%, ndërsa fitorja e Tiszës u shoqërua me festime të mëdha në rrugët e Budapestit.

Ndërkohë, Orbán pranoi humbjen duke e cilësuar rezultatin “të qartë dhe të dhimbshëm”, por nuk ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë së tij. Ai pritet të qëndrojë përkohësisht në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re.

Zgjedhjet e së dielës shënojnë një moment historik për Hungarinë, duke i dhënë fund një epoke të gjatë politike dhe duke hapur një kapitull të ri për vendin.

SHARE