Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për punët e jashtme dhe evropiane, Filip Ivanoviq, ka deklaruar se Mali i Zi është vendi më i përparuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe synon të bëhet anëtarja e ardhshme e BE-së me sloganin “28 deri në 28”.
Ai tha se përshpejtimi i negociatave ka ardhur sidomos pas ndryshimeve gjeopolitike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, kur BE-ja ka forcuar qasjen e saj si aktor gjeopolitik.
Sipas tij, Mali i Zi ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt negociues dhe synon t’i përfundojë të gjitha deri në fund të vitit.
Si sfidë kryesore ai përmendi kapitullin 27 (mjedisi dhe qëndrueshmëria), si dhe harmonizimin e politikës së vizave me BE-në, ndërsa theksoi se vendi po punon intensivisht me ndihmën e BE-së dhe shteteve anëtare për përshpejtimin e reformave.
Ivanoviq tha se nuk ka pengesa politike brenda vendit, pasi të gjitha partitë janë pro-evropiane dhe ligjet po miratohen pa kundërshtime.
Ai shtoi se mbështetja e qytetarëve për anëtarësim në BE mbetet e lartë, rreth 70–80%.
Sipas tij, Mali i Zi mund të kontribuojë në BE me pozicionin e tij gjeografik në Mesdhe, stabilitetin si anëtar i NATO-s, si dhe karakterin multietnik dhe multikulturor të shoqërisë.
Ai theksoi gjithashtu se vendi përdor euron si monedhë dhe se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik, ndërsa Mali i Zi vazhdon të jetë lider në procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.









