SIMPOZIUMI SHKENCOR “MASAKRA NË TIVAR 1945 – E VËRTETA E FSHEHUR”: TË ZBARDHEN VRASJET MASIVE TË SHQIPTARËVE DHE BOSHNJAKËVE NË TIVAR

Foto: Marija Pešić

Në Tivar u mbajt simpoziumi ndërkombëtar shkencor “Masakra në Tivar 1945 – E vërteta e fshehur”, me rastin e 81-vjetorit të kësaj ngjarjeje.  

Në këtë aktivitet morën pjesë historianë, juristë, gazetarë, përfaqësues institucionalë dhe diplomatë, përfshirë përfaqësues të Kuvendit, ambasadorë dhe autoritete lokale.

Kryetari i Këshillit Boshnjak, Sulo Mustafiq, rikujtoi se në fund të marsit dhe fillim të prillit 1945 në Tivar ndodheshin qindra të rinj të paarmatosur nga Kosova, kryesisht shqiptarë dhe një pjesë boshnjakë, të mobilizuar me forcë.

Pas një incidenti ku u vra një roje, filloi pushkatimi masiv dhe ndjekja e tyre për disa ditë pa gjyq. Shumica e viktimave u varrosën në vende të panjohura, ndërsa një numër i vogël mbijetoi falë ndihmës së banorëve lokalë.

Mustafiq theksoi nevojën për hetim institucional dhe formimin e komisioneve për të zbardhur plotësisht ngjarjen, duke theksuar se bëhet fjalë për persona të mobilizuar nga ushtria e atëhershme jugosllave, për të cilët shteti duhet të ketë pasur evidencë.

Ai shtoi se Tivari duhet parë si vendi ku ndodhi ngjarja, jo si shkaktari i saj, dhe se zbulimi i së vërtetës nuk është revizionizëm, por një hap i domosdoshëm për përballjen me të kaluarën.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Faik Nika, e cilësoi këtë si një nga krimet më të mëdha të shekullit të kaluar që nuk është trajtuar siç duhet, duke theksuar se qëllimi i simpoziumit është nxjerrja e së vërtetës mbi bazë faktesh, pa politizim.

Në mesazhin e ministrit të Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, u theksua se përballja me këtë ngjarje është çështje drejtësie, dinjiteti dhe të drejtash njerëzore, dhe se e vërteta është parakusht për pajtim, jo burim përçarjeje. U theksua gjithashtu detyrimi i shtetit për të mbështetur kërkimet dhe ruajtjen e dokumentacionit.

Nënkryetari i Kuvendit, Mirsad Nurkoviq, deklaroi se zbardhja e këtyre ngjarjeve kontribuon në shërimin moral të shoqërisë dhe duhet të bazohet në dokumente dhe metodologji shkencore.

Gjatë simpoziumit u prezantuan punime dhe studime shkencore nga autorë të rajonit, ndërsa aktiviteti përfundoi me njoftimin për një vizitë në vendin e ngjarjes dhe vendosjen e luleve në nderim të viktimave.

SHARE