Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shfaqur luhatje të forta këtë të martë, ndërsa investitorët po përpiqen të vlerësojnë zhvillimet e fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tyre në furnizimin global me energji.
Nafta Brent për kontratat e majit u rrit me 0.58%, duke arritur në 113.43 dollarë për fuçi, ndërsa kontrata më aktive e qershorit u kuotua në 107.31 dollarë. Nga ana tjetër, nafta amerikane West Texas Intermediate shënoi një rritje minimale prej 0.02%, duke u tregtuar në 102.90 dollarë për fuçi, pasi më herët kishte arritur nivelet më të larta që nga 9 marsi.
Tregjet reaguan fillimisht ndaj sinjaleve për negociata midis SHBA-së dhe Iranit, por analistët theksojnë se çdo ndryshim real në çmime do të varet nga rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se diskutimet me Teheranin vijojnë, por ka theksuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin, përfshi hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ushtria amerikane do të hedhë në erë të gjithë infrastrukturën iraniane, puset e naftës dhe infrastrukturën e naftës në ishullin Kharg.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në diskutime serioze me një regjim të ri dhe më të arsyeshëm për t’i dhënë fund operacioneve tona ushtarake në Iran. Është bërë përparim i madh, por nëse për ndonjë arsye nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të arrihet, dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet menjëherë, ne do të hedhim në erë të gjitha impiantet e tyre të gjenerimit të energjisë elektrike, puset e naftës dhe ishullin Kharg, të cilat qëllimisht nuk i kemi ‘prekur’ ende”.
Ndërkohë, Irani vijon të bllokojë kalimin në këtë korridor strategjik, përmes të cilit transportohet rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë. Si pasojë, çmimet e naftës kanë pësuar një rritje rekord gjatë muajit mars, me Brent që është rritur me 59% dhe WTI me 58%, niveli më i lartë i rritjes që nga viti 2020.
Ndikimi është ndjerë drejtpërdrejt edhe te konsumatorët. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës ka kaluar pragun prej 4 dollarësh për gallon, për herë të parë në më shumë se tre vite.
Rritja e kostove të karburantit po rëndon buxhetet familjare dhe po shton presionin politik ndaj administratës amerikane në prag të zgjedhjeve të nëntorit. Ekspertët vlerësojnë se, ndonëse situata aktuale i ngjan krizës energjetike të vitit 2022 pas agresionit rus në Ukrainë, kjo valë mund të jetë më afatshkurtër, nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe nëse zhbllokohet Ngushtica e Hormuzit.









