Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka theksuar se forcimi i institucioneve është thelbësor për luftën kundër korrupsionit, ndikimeve malinje dhe dezinformatave.
Ai deklaroi se Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave me Bashkimin Evropian dhe se nuk ka më hapësirë për improvizim.
Millatoviq u shpreh se nuk është më çështja nëse Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së, por si do të jetë vendi në momentin e anëtarësimit, duke përmendur vitet 2028 dhe 2029 si periudhë kyçe.
Ai theksoi nevojën për adresimin e dobësive të sistemit dhe ofrimin e zgjidhjeve afatgjata, duke shtuar se zhvillimet moderne, si rrjedhat financiare në botën e aseteve virtuale dhe strukturat komplekse pronësore, e bëjnë më të vështirë luftën kundër aktiviteteve të paligjshme.
Presidenti nënvizoi rëndësinë e krijimit të mekanizmave për mbrojtjen e sistemit financiar, duke shtuar se këto zhvillime mund të shihen edhe si mundësi për zhvillim ekonomik, nëse menaxhohen si duhet.
Ai kërkoi që marrëveshjet për investime të jenë plotësisht në përputhje me standardet evropiane për të shmangur korrupsionin.
Po ashtu, Millatoviq paralajmëroi për rreziqet nga ndikimet e huaja që synojnë destabilizimin e vendit dhe theksoi nevojën për mekanizma për identifikimin e hershëm të ndikimeve hibride.
Millatoviq foli edhe për rëndësinë e luftës kundër dezinformatave, duke theksuar se ato nuk duhet të vijnë nga vetë vendimmarrësit.
Ai përmendi raste konkrete të dezinformimit dhe kundërshtive në informacionet publike.
Në fund, ai renditi si prioritete kryesore forcimin e sundimit të ligjit, transparencën financiare, mbikëqyrjen e tregut të kriptomonedhave dhe luftën kundër ndikimeve të jashtme dhe dezinformatave, me qëllim ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm dhe demokratik.











