Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se modeli aktual i rritjes ka arritur kufijtë e tij dhe se Malit të Zi i nevojitet një model i ri i zhvillimit ekonomik.
Ai e tha këtë gjatë takimit në Uashington me drejtoreshën e përgjithshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.
Në takim, u vlerësua se Mali i Zi ka bërë përparim të dukshëm në vitet e fundit, por se tani përballet me sfidën e qëndrueshmërisë afatgjatë dhe strukturës së rritjes ekonomike.
Millatoviq theksoi se vendi duhet të kalojë nga një ekonomi e bazuar në konsum dhe import, në një ekonomi që prodhon, e mbështetur në investime, prodhim dhe eksport.
Ai informoi bashkëbiseduesit për përgatitjen e një publikimi ekonomik me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë, i cili synon të tregojë nevojën për këtë transformim dhe të vendosë bazat e një politike të re zhvillimore.
Gjithashtu, ai falënderoi FMN-në për mbështetjen teknike të deritanishme dhe kërkoi mbështetje për krijimin e Këshillit Fiskal të Malit të Zi.
Po ashtu, Millatoviq theksoi rëndësinë e ekspertizës së FMN-së në procesin e anëtarësimit në eurozonë, duke nënvizuar se ky është një objektiv kompleks që kërkon institucione të forta, financa publike të qëndrueshme dhe përputhje me standardet evropiane.
Në takim u diskutua edhe për situatën globale, veçanërisht për pasojat ekonomike të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës, presionet mbi inflacionin dhe ngadalësimin e aktivitetit ekonomik.
Millatoviq e ftoi drejtoreshën e FMN-së të vizitojë Malin e Zi dhe të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare ekonomike që do të mbahet me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë.









