Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Austri, ku u takua me nënkryetarin e parë të Këshillit Nacional, Peter Haubner.
Në takim, Camaj falënderoi Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që i jep Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se përvoja e Austrisë në procesin e integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme për Malin e Zi.
Ai gjithashtu nënvizoi se shumica e madhe e qytetarëve në Mal të Zi e mbështesin fuqishëm integrimin evropian.
Camaj shprehu pritshmëri që Austria të vazhdojë mbështetjen e saj në procesin e anëtarësimit dhe theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve.
Ai gjithashtu vuri në dukje marrëdhëniet miqësore dhe të zhvilluara mirë mes Malit të Zi dhe Austrisë, të karakterizuara nga dialogu i rregullt politik dhe përkushtimi për avancimin e tyre, duke vlerësuar edhe qëndrimin historikisht pozitiv të Austrisë ndaj Malit të Zi dhe komunitetit shqiptar.
Nga ana tjetër, Haubner vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se Austria luan një rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.
Ai përgëzoi Malin e Zi për përparimin e arritur në procesin e integrimit evropian.
Të dy palët theksuan gjithashtu bashkëpunimin e mirë ndërparlamentar dhe mundësitë për ta përmirësuar më tej, me fokus të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, sidomos në fushat e turizmit, energjisë dhe bujqësisë.
Gjatë vizitës, Camaj do të zhvillojë takime të tjera me përfaqësues të ndryshëm të parlamentit austriak, përfshirë grupin parlamentar dypalësh Austri–Mali i Zi, si dhe me zyrtarë të lartë të komisioneve për drejtësi dhe punë të jashtme. Kjo vizitë konsiderohet si vazhdim i dialogut intensiv politik dhe një hap shtesë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.









