Për të nëntin vit me radhë oqeanet kanë thyer rekordet e nxehtësisë, akullnajat po tërhiqen me shpejtësi rekord dhe moti ekstrem po shkakton vdekje dhe shkatërrime: Raporti më i fundit i Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM) për vitin 2025 paralajmëron se klima e Tokës është më e çekuilibruar se kurrë dhe se pasojat e ndryshimeve klimatike mund të zgjasin për shekuj, e madje mijëvjeçarë.
Dekada 2015-2025 konsiderohet më e nxehta e regjistruar ndonjëherë. Oqeanet kanë përjetuar nxehtësi të paparë, ndërsa akullnajat dhe akulli detar vazhdojnë të tërhiqen.
Ngjarje ekstreme si përmbytjet, uraganet dhe valët e të nxehtit kanë shkaktuar mijëra vdekje dhe humbje të mëdha ekonomike, përfshirë zjarret e Kalifornisë që shkaktuan më shumë se 60 miliardë dollarë dëme.
Raporti nënvizon se çekuilibri energjetik i Tokës – hendeku midis energjisë diellore që hyn dhe nxehtësisë që lëshohet- ka arritur nivel rekord.
Kjo do të thotë se më shumë energji mbetet në sistemet planetare, kryesisht për shkak të gazrave serrë që veprojnë si “batanije” duke bllokuar nxehtësinë. Rreth 91% e kësaj nxehtësie përthithet nga oqeanet, 5% nga toka, 3% nga shtresat e akullit dhe akullnajave, dhe 1% ngroh atmosferën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se varësia nga lëndët fosile destabilizon klimën dhe sigurinë globale, duke nënvizuar nevojën për një kalim të shpejtë tek energjia e rinovueshme.
Ngrohja e oqeaneve po dëmton biodiversitetin dhe sigurinë ushqimore, duke ndikuar mbi rreth 3 miliardë njerëz, teksa humbja e akullit në Arktik dhe Antarktik, si dhe tërheqja e akullnajave, rrisin nivelin e detit dhe kërcënojnë qytetet dhe zonat bregdetare.









