Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, gjatë vizitës zyrtare në Lisbonë, deklaroi se Mali i Zi po e zhvillon transformimin digjital në mënyrë të planifikuar dhe të përgjegjshme, duke u mbështetur në praktikat më të mira evropiane, me qëllim që qytetarëve t’u sigurojë shërbime më të shpejta dhe më cilësore.
Nga Ministria e Administratës Publike u njoftua se gjatë vizitës zyrtare në Lisbonë, Dukaj me ekipin e tij zhvilloi një takim në Agjencinë për Reformën Teknologjike të Portugalisë, një nga institucionet kryesore në fushën e transformimit digjital të administratës publike.
Gjatë bisedës me presidentin e Agjencisë, Manuel Dias, ku ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, u shkëmbyen përvoja mbi modelet bashkëkohore të ofrimit të shërbimeve elektronike, me fokus të veçantë në zhvillimin e portalit unik të shërbimeve publike dhe përmirësimin e identitetit digjital të qytetarëve.
Përfaqësuesit e palës portugeze prezantuan zgjidhje konkrete që mundësojnë shërbime publike më efikase, më të qasshme dhe të orientuara drejt përdoruesit, çka përbën një model të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të administratës malazeze.
Ministri Dukaj theksoi rëndësinë e shkëmbimit të drejtpërdrejtë të përvojave me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian: “Mali i Zi po e zhvillon transformimin digjital në mënyrë të planifikuar dhe të përgjegjshme, duke u mbështetur në praktikat më të mira evropiane, me qëllim që qytetarëve t’u sigurojë shërbime më të shpejta dhe më cilësore”, tha Dukaj.
Kjo vizitë, sipas ministrisë, konfirmon përkushtimin e Ministrisë së Administratës Publike për të vazhduar reformat intensive dhe për të përmirësuar më tej efikasitetin e administratës publike, në përputhje me standardet evropiane dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.









