GONZATO: PARLAMENTI KA ROL KYÇ NË PROCESIN E INTEGRIMIT TË SHQIPËRISË

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij gjatë tryezës për platformën e dialogut të hapur, nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së Parlamentit në fazën e vlerësimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe nevojën për të orientuar prioritetet e ardhshme.

“Do doja të theksoja faktin që duhet të shohim drejt të ardhmes, strategjinë, sepse proceset janë në vazhdim dhe kemi afate të rëndësishme për t’i kapur. Jam mirënjohës për angazhimin, pavarësisht rrezikut që përmban procesi,” tha Gonzato.

Ai vuri në dukje arritjet e platformës gjatë vitit të kaluar, sidomos mbledhjen e faktorëve të ndryshëm që nuk është e lehtë në Shqipëri, si dhe adresimin e çështjeve të aksesit në informacion, sigurisë së gazetarëve dhe transparencës në media.

Gonzato theksoi gjithashtu sfidat e mbetura dhe disa rekomandime që nuk u morën parasysh në fazën fillestare, si çështja e dekriminalizimit të shpifjes dhe ligjit mbi mediat audiovizuale, të cilat sipas tij kanë qenë shumë të kufizuara. 

SHARE