Lotaria Amerikane do të rikthehet me rregulla dhe kritere të rishikuara, pas pezullimit të aplikimeve nga administrata Trump pak muaj më parë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar ndryshimet që do të hyjnë në fuqi në 10 prill të këtij viti. Vlerësohet se do të jenë afërsisht 10 milionë aplikantë për programin e lotarisë amerikane të 2027-ës.
Ky numër është përllogaritur duke marrë parasysh se në vitin 2023 ka pasur 9.6 milionë aplikantë dhe në vitin 2022 7.3 milionë. Të gjithë aplikantët duhet të paguajnë një tarifë 1 dollar në momentin e plotësimit dhe dorëzimit elektronik të aplikimit.
Kjo tarifë do të jetë nominale për të gjithë të interesuarit, dhe është vendosur nga Departamenti Amerikan të Shtetit duke marrë parasysh se në vendet ku jetojnë aplikantët llogaritet një pagë mesatare prej 4.56 dollarë në orë.
Aplikantët duhet të ngarkojnë një pasaportë të vlefshme dhe të skanojnë faqen biometrikie dhe të nënshkrimit. Po ashtu do të duhet të disponojnë diplomën e shkollës së mesme. Për qytetarët që janë të martuar, duhet të përfshijnë emrin, foton, fatën dhe vendin e lindjes së partnerit dhe të gjithë fëmijëve biologjikë dhe të adoptuar ligjërisht.
Përfshirja e bashkëshortëve në aplikim është e detyrueshme edhe nëse ata nuk banojnë bashkë aktualisht apo nuk do të emigrojnë së bashku.
Po ashtu në formularin e aplikimit është vendosur që të zëvendësohet termi ‘gjini’ me ‘seks’ dhe termi ‘ moshë’ me ‘data e lindjes’, për të pasqyruar me saktësi informacionin e mbledhur nga Departamenti gjatë procesit të vizës së imigrantëve.








