Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, zhvilloi një takim me liderët e shumicës parlamentare, ku u theksua se agjenda evropiane e Malit të Zi është prioritet absolut dhe se ligjet kyçe duhet të miratohen deri në fund të korrikut, në mënyrë që të mbyllen të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian (BE).
“Ky qëllim ambicioz, por i arritshëm kërkon vullnet më të fortë politik, koordinim të vazhdueshëm institucional dhe përgjegjësi të plotë nga të gjithë aktorët politikë”, deklaroi Spajiq.
Gjatë konsultimeve, fokusi ishte në përcaktimin e hapave të ardhshëm në fazën përfundimtare të procesit të negociatave, duke theksuar rëndësinë e të ashtuquajturave “ligje me flamur blu”, për të cilat ka ardhur mendimi i Komisionit Evropian. Spajiq theksoi se ato janë prioritet absolut në punën e Parlamentit.
“Presim që shumica e ligjeve, miratimi i të cilave është i nevojshëm për harmonizimin me legjislacionin evropian dhe mbylljen e kapitujve të negociatave, të miratohen deri në fund të korrikut, pra deri në përfundim të sesionit të rregullt pranveror të Kuvendit të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në takim u theksua veçanërisht rëndësia e dialogut politik në Parlament, pasi stabiliteti politik paraqet kusht paraprak për përfundimin me sukses të negociatave.
Kryeministri Spajiq do të vazhdojë nesër bisedimet me përfaqësuesit e opozitës, në mënyrë që të sigurohet më tej konsensusi rreth agjendës evropiane.










