INTENSIFIKOHET BASHKËPUNIMI ME BE-në DHE BERZH-in PËR INFRASTRUKTURËN DIGJITALE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, së bashku me ministren e Punëve Publike, Majda Axhoviq, zhvilluan një takim me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, ku u diskutua avancimi i projektit për zhvillimin e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë.

Në fokus të takimit ishte progresi i projektit që synon sigurimin e internetit të shpejtë dhe të sigurt për familjet, bizneset, institucionet arsimore dhe shëndetësore, me theks të veçantë në zonat rurale, në funksion të transformimit digjital të vendit.

Në takim, u theksua se ky projekt përbën një investim strategjik, në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian për dekadën digjitale, dhe është parakusht për sigurimin e granteve të BE-së përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, si dhe për qasjen në fondet e Agjendës së Reformave.

Përfaqësuesit e BE-së dhe BERZH-it u njoftuan për krijimin e një ekipi për koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të projektit, çka hap rrugën për fazën kyçe të përgatitjes së dokumentacionit të tenderit.

Po ashtu, u theksua rëndësia e realizimit efikas të këtij procesi.

Palët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke përfshirë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Punëve Publike, BERZH-in dhe Delegacionin e BE-së.

Në fund, u bë e ditur se Mali i Zi do të themelojë një njësi të posaçme për zbatimin e projektit, e cila do të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim realizimin me sukses të objektivave në fushën e lidhjes me internet me brez të gjerë.

SHARE