MILLATOVIQ DHE KOS: INTEGRIMET EVROPIANE DUHET TË SHFRYTËZOHEN PËR NDËRTIMIN E INSTITUCIONEVE TË FORTA DHE REFORMA THELBËSORE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u takua sot në Bruksel me Marta Kos, komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian.

“Takimi me komisioneren Kos vjen në një moment kyç për Malin e Zi, duke pasur parasysh se ndodhemi në fazën përfundimtare të integrimeve evropiane. Biseduam gjatë, hapur dhe në mënyrë të detajuar. Mesazhi i Komisionit Evropian është i qartë: Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë këtë proces për të forcuar më tej institucionet e tij. Integrimet evropiane nuk janë formalitet, por proces reformash thelbësore. Qëllimi ynë është që Mali i Zi të bëhet një shtet me institucione të forta, të pavarura dhe funksionale, i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Prandaj është e domosdoshme që të rikthejmë plotësisht fokusin te reformat themelore”, deklaroi presidenti Millatoviq pas takimit me komisioneren Kos.

Gjatë takimit u hapën edhe çështje kyçe që kërkojnë zgjidhje.

“Biseduam për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, nevojën që reforma zgjedhore të përfundojë pa vonesa, si dhe për detyrimin që të gjitha ligjet, para miratimit, të jenë plotësisht të harmonizuara me legjislacionin evropian. Gjithashtu, është e nevojshme të sigurohet një dialog funksional parlamentar dhe të arrihet një konsensus më i gjerë shoqëror për rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila bazohet në reforma. Integrimet evropiane duhet të jenë një proces i vërtetë reformash; reformat nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por duhet të jenë qartësisht të dukshme në veprime. Ky është mesazhi kryesor i këtij takimi”, deklaroi Millatoviq.

SHARE