TRUMP NJOFTOI ARMËPUSHIM 5-DITOR ME IRANIN, BIEN ÇMIMET E NAFTËS

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm dhe tregjet e aksioneve janë rimëkëmbur pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se SHBA-të dhe Irani kanë zhvilluar bisedime “shumë të mira dhe produktive” mbi ndalimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Pas njoftimit, çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra me 13%.

Trump tha në rrjetet sociale se do të “shtynte çdo sulm ushtarak kundër centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjitike iraniane” për një periudhë pesë-ditore.

Të shtunën, ai tha se do të “shkatërronte” termocentralet iraniane nëse rruga kryesore e lundrimit të Ngushticës së Hormuzit nuk do të rihapej. Irani kishte thënë se do të përgjigjej duke synuar infrastrukturën kyçe në rajon.

Komentet gjatë fundjavës kishin tronditur tregjet financiare, duke shtuar frikën se lufta SHBA-Izrael me Iranin do të ishte një konflikt i zgjatur.

Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, Irani ka bllokuar në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një nga kanalet më të ngarkuara të transportit të naftës në botë.

Rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë zakonisht kalon nëpër këtë rrugë ujore dhe konflikti ka rritur ndjeshëm çmimet globale të karburantit.

Më herët të hënën, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, kishte paralajmëruar se lufta mund ta çonte botën përballë krizës më të keqe energjetike në dekada.

Birol e krahasoi krizën aktuale energjetike me ato të viteve 1970 dhe ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Në një moment të hënën, çmimi i naftës Brent kishte arritur në 113 dollarë për fuçi, por ra pas komenteve të Trump.

SHARE