Ukraina dhe Rusia kanë këmbyer sulme të mëdha me dronë, duke i përdorur secila nga mbi 200 dronë, pas bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Floridë, gjatë të cilave u bisedua edhe për shkëmbimin e mundshëm të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.
Forcat e Mbrojtjes të Rusisë thanë se gjatë natës kapën dhe shkatërruan 249 dronë ukrainas. Ky ishte ndër sulmet më të mëdha me dronë nga Ukraina, e cila i ka shtuar goditjet ndaj caqeve energjetike të Rusisë.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se forcat ruse lëshuan 251 dronë sulmues gjatë të njëjtës kohë.
Në Ukrainë, dronët rusë goditën zona banimi dhe infrastrukturë e portit në rajonin jugor të Odesës në Detin e Zi, sipas guvernatorit rajonal. Të paktën katër njerëz u plagosën në Krivi Rih, qytetin e madh industrial në Ukrainën qendrore, pas sulmeve ruse, ndërsa u raportua për zjarr dhe dëme në infrastrukturë.
Në Rusi, një sulm me dronë shkaktoi zjarr në një rezervuar karburanti në portin e Primorskit në Detin Baltik, qendra më e madhe perëndimore e eksportit të naftës në vend, sipas Aleksandr Drozdenkos, guvernatorit të rajonit të Leningradit.
Mbi 70 dronë u shkatërruan në rajon gjatë 24 orëve të fundit, shkroi Drozdenko në llogarinë e tij në Telegram.
Porti i Primorskit, me kapacitet eksporti mbi 1 milion fuçi naftë bruto në ditë, është dalje e rëndësishme për naftën e papërpunuar të Rusisë dhe natën me cilësi të lartë.
Kjo nuk është hera e parë që Primorski goditet nga forcat ukrainase: porti u sulmua më parë në shtator 2025, dhe u detyrua t’i ndërpresë përkohësisht ngarkesat e naftës.
Ukraina po i vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke goditur objektet e eksportit të naftës dhe rafineritë për të dobësuar ekonominë e luftës së Moskës.









