Foto: Kolektiv ME
Sipas raportit më të ri për vitin 2026 të V-Dem Institute, Mali i Zi është ndër vendet e rralla në Evropë dhe më gjerë që po shënojnë progres në demokratizim pas ndryshimeve politike të vitit 2020.
Raporti thekson se zgjedhjet e vitit 2020 i dhanë fund pothuajse tri dekadave qeverisje nga PDS-ja dhe mundësuan një tranzicion paqësor të pushtetit, duke vendosur një demokraci zgjedhore.
Përparim i mëtejshëm u shënua edhe pas zgjedhjeve të vitit 2023, megjithëse sfida si korrupsioni dhe polarizimi politik vazhdojnë.
Në Evropën Lindore, vetëm Mali i Zi dhe Polonia po konsiderohen vende që po demokratizohen, ndërsa shumica e shteteve të rajonit po përjetojnë prirje drejt autokratizimit.
Ky fenomen po prek edhe vende anëtare të BE-së dhe fqinjët e saj, duke reflektuar një trend më të gjerë global të rënies së standardeve demokratike.
Raporti vëren se në nivel global, gjendja e demokracisë është përkeqësuar dhe është kthyer në nivele të krahasueshme me fundin e viteve ’70.
Megjithatë, Mali i Zi përmendet si një shembull pozitiv, duke përmirësuar statusin e tij në kategorinë e “demokracive zgjedhore” dhe duke shënuar rritje të vazhdueshme në indeksin e demokracisë zgjedhore.
Në fund, theksohet se proceset e demokratizimit janë bërë më të rralla, por rasti i Malit të Zi tregon se progresi është i mundur përmes ndryshimit të pushtetit dhe forcimit të institucioneve.










