MBËSHTETJE E FORTË PËR SYNIMIN QË MALI I ZI TË MBYLLË TË GJITHË KAPITUJT E NEGOCIATAVE ME BE DERI NË VITIN 2026

Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane

Në Misionin e Malit të Zi pranë Bashkimit Evropian në Bruksel u zhvillua një takim mes kryenegociatorit Predrag Zenoviq dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare në kuadër të grupit punues COELA, ku u konfirmua mbështetje e fortë për rrugën evropiane të Malit të Zi dhe objektivin për mbylljen e përkohshme të të gjitha kapitujve deri në fund të vitit 2026.

Zenoviq theksoi se Mali i Zi ka mbyllur tashmë 14 kapituj negociues, por se pjesa më e vështirë e procesit ende mbetet përpara.

Ai nënvizoi se negociatat zhvillohen mbi bazën e meritës, me përmbushje sistematike të kritereve dhe masa konkrete, duke rritur besueshmërinë e vendit drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Në takim u prezantua dinamika e punës në të gjithë kapitujt e hapur, përfshirë reformat, aktivitetet ligjore dhe forcimin institucional. U theksua nevoja për koordinim të plotë mes aspektit politik dhe teknik, si dhe për mbështetje të vazhdueshme nga vendet anëtare.

Përfaqësuesit e COELA shprehën mbështetje të fortë dhe interes për progresin e mëtejshëm të Malit të Zi, duke vlerësuar komunikimin intensiv me institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare.

Në takim, u ritheksua se Mali i Zi mbetet i përkushtuar për të përfunduar të gjitha detyrimet negociuese deri në fund të vitit 2026 dhe për t’u afruar më shumë se kurrë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

SHARE