Agjencitë amerikane të inteligjencës paralajmërojnë se “Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me tensione të shtuar politike dhe ndikime të jashtme”, duke veçuar Rusinë për përpjekjet e saj për destabilizim në rajon.
Në raportin “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026” thuhet se lufta në Ukrainë ka thelluar ndarjet midis Perëndimit dhe Moskës, duke ndikuar edhe në Ballkan.
Sipas dokumentit, Rusia ka vepruar në Serbi duke nxitur paqëndrueshmëri në raport me Kosovën dhe ka mbështetur ndarjen e entitetit serb, Republika Srpska, nga Bosnja dhe Hercegovina.
Shërbimet amerikane të inteligjencës vlerësojnë se ndarjet etnike dhe politike në rajon përbëjnë një rrezik të mundshëm për sigurinë, sidomos kur kombinohen me ndikimin e aktorëve të huaj. Ballkani Perëndimor përshkruhet si një hapësirë ku përplasen interesat e fuqive të mëdha, ndërsa krizat ekzistuese dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura mes shteteve ballkanike mbeten burime kryesore të paqëndrueshmërisë.
Raporti thekson se rajoni është veçanërisht i ndjeshëm ndaj ndikimit politik, dezinformimit dhe përpjekjeve për cenimin e sigurisë.









