SAMITI I BE-së, ORBAN BLLOKON NDIHMAT PËR UKRAINËN / THIRRJA PËR IRANIN: ULNI TENSIONET

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka bllokuar miratimin e paketës së ndihmës për Ukrainën gjatë samitit të udhëheqësve të Bashkimi Evropian në Bruksel, duke bërë që deklarata e përbashkët e takimit të mos nënshkruhej.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe udhëheqës të tjerë nuk arritën ta bindin Orbanin të heqë veton mbi ndihmat financiare miliardëshe për Ukrainën. Bisedimet përfunduan vonë në mbrëmje pa arritur një zgjidhje.

Orban, i cili kërkon një mandat tjetër qeverisës në Hungari, këmbëngul se do ta tërheqë veton vetëm kur vendi i tij të rifillojë furnizimin me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”, duke argumentuar se pa këtë naftë ekonomitë familjare dhe bizneset hungareze do të përballeshin me kolaps.

Diplomatët e kritikuan Orbanin pas dyerve të mbyllura, duke kujtuar se ai kishte miratuar më parë planin e ndihmës për Ukrainën deri në 90 miliardë euro gjatë samitit të dhjetorit 2025. Merz nënvizoi publikisht se parimet e BE-së kërkojnë besnikëri dhe besueshmëri nga të gjitha shtetet anëtare.

Ndërkohë, sulmet ndaj impianteve të gazit në Iran dhe Katar kanë rritur frikën për përshkallëzim në Lindjen e Mesme.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të kërkojnë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe ujore, të ulin tensionet, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare.

Kjo erdhi pak pasi Izraeli sulmoi fushën e gazit “South Pars” për të ushtruar presion mbi Iranin për hapjen e rrugës detare të Hormuzit, ndërsa regjimi i ajatollahëve goditi impiante të gazit të lëngshëm në Katar, një nga prodhuesit më të mëdhenj të LNG-së në botë.

SHARE