Foto: Shutterstock
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike Nik Gjeloshaj dhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj kanë përcjellë urime të veçanta për besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Fitër Bajramit, duke theksuar vlerat e solidaritetit, respektit dhe harmonisë në shoqëri.
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, u dërgoi urime kreut të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, z. Rifat ef. Fejziq, dhe besimtarëve që festojnë Fitër Bajramin.
“Më lejoni t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta me rastin e Fitër Bajramit. Uroj që këto ditë feste të jenë të mbushura me paqe dhe forcë shpirtërore, si dhe të forcojnë më tej mirëkuptimin, solidaritetin dhe besimin mes njerëzve në vendin tonë”, theksoi Gjeloshaj.
Sipas tij, mesazhet e kësaj feste të madhe na kujtojnë vlerat e përhershme, humanizmin, sakrificën dhe kujdesin për të afërmit, të cilat janë themeli i çdo shoqërie të përparuar dhe harmonizuar.
“Jam i bindur se, të udhëhequr nga këto vlera, do të vazhdojmë të kultivojmë respektin e ndërsjellë, të forcojmë dialogun dhe së bashku të kontribuojmë në ruajtjen e harmonisë multietnike dhe multikonfesionale në Mal të Zi”, thuhet në urimin e Gjeloshajt.
Me rastin e Festës së Fitër Bajramit, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka përcjellë urimet më të sinqerta Reisit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, z. Rifat Fejziq dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame.
“Duke kultivuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë, vazhdojmë të forcojmë vlerat që përbëjnë themelin e shoqërisë sonë. Besoj se agjërimi i Ramazanit ka sjellë paqe shpirtërore, forcë dhe solidaritet, duke forcuar më tej vlerat që na bashkojnë. Uroj që Fitër Bajrami t’ju sjellë gëzim, lumturi familjare, shëndet të mirë dhe përparim, me dëshirën që ditët festive t’i kaloni në paqe dhe mirëqenie.”











