Kosova dhe Shqipëria janë cilësuar si vende “pjesërisht të lira” në raportin më të fundit vjetor të organizatës ndërkombëtare Freedom House, me seli në Uashington.
Megjithatë, Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.
Në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.
Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.
“Në Kosovë, për shembull, ligjvënësit e sapozgjedhur nuk arritën të formonin një qeveri për pjesën më të madhe të vitit, ndërsa qeveria në detyrë thuhet se e tejkaloi mandatin e saj teknik, duke rezultuar në zgjedhje të parakohshme; kjo bllokadë i zbehu përparimet e vendit në pavarësinë gjyqësore dhe sigurinë fizike”, thuhet në raport.
Në raportin paraprak, kur Kosova kishte 60 pikë, vendi vlerësohej se kishte shumë institucione publike të minuara nga korrupsioni, se gazetarët përballeshin me frikësim dhe se sundimi i ligjit pengohej nga ndërhyrjet dhe mosfunksionimi në sistemin gjyqësor.









