Qeveria italiane ka miratuar masa urgjente për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve, duke synuar lehtësimin e menjëhershëm të barrës për qytetarët dhe bizneset.
Këshilli i Ministrave i Italisë ka aprovuar një paketë ndërhyrjesh me vlerë më pak se 1 miliard euro, e cila parashikon ulje të përkohshme të çmimeve dhe mbështetje për shtresat në nevojë.
Kryeministrja Giorgia Meloni bëri të ditur se me dekretin e ri është vendosur një ulje prej 25 centësh për litër në çmimin e karburanteve. Një nga masat kryesore është edhe ulja e akcizës për një periudhë 20-ditore, e cila do të zbatohet për të gjithë konsumatorët.
“Së pari, po i ulim çmimet e karburantit me rreth 0.25 euro për litër për të gjithë. Së dyti, po prezantojmë një kredi tatimore për shoferët e kamionëve. Së treti dhe i fundit: po prezantojmë një mekanizëm anti-spekulim”, tha Meloni.
Ky veprim i qeverisë italiane vjen në një kohë kur cmimet e naftës po rriten vazhdimisht mes frikës për ndërprerje të mëdha në industrinë globale të saj . Nafta Brent u rrit më shumë se 5 për qind, duke shkuar në 112.84 dollarë për fuçi.










