Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka ftuar liderët e të gjitha partive politike në një takim me qëllim tejkalimin e krizës politike dhe institucionale, si dhe forcimin e unitetit kombëtar për përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se pjesëmarrja në takim do të tregojë se cilët liderë janë realisht të përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe cilët vetëm deklarativisht.
Millatoviq vlerësoi se Mali i Zi ndodhet në një krizë të thellë, duke përmendur ligjet për Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, bllokimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të moszgjedhjes së gjyqtarëve dhe ndërprerjen e punës së komisionit për reformën zgjedhore.
Ai paralajmëroi se këto probleme janë veçanërisht shqetësuese në prag të zgjedhjeve të ardhshme dhe se përparimi në negociatat me BE-në është i ngadalshëm.
Për zgjidhjen e krizës, ai propozoi shtatë masa, përfshirë harmonizimin e ligjeve me Kushtetutën dhe standardet e BE-së, rikthimin e opozitës në institucione, zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, reformën zgjedhore, përmirësimin e punës së parlamentit, intensifikimin e dialogut me Kroacinë dhe krijimin e një këshilli shtetëror për integrimet evropiane.
Ai shtoi se është në komunikim të vazhdueshëm me nivelet më të larta të BE-së dhe kritikoi ashpër ligjet aktuale, duke thënë se ato e largojnë vendin nga standardet evropiane. Gjithashtu paralajmëroi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese për të forcuar procedurat e miratimit të ligjeve.










