PICULA: GJENDJA NË SERBI ËSHTË PËRKEQËSUAR, PROCESI I ANËTARËSIMIT NË BE KA NGECUR

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, vlerësoi se reformat në këtë shtet janë “ngadalësuar ndjeshëm” në disa segmente dhe se ka, siç tha ai, regres, i cili duket veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe standardeve të demokracisë si sistem.

“Që nga miratimi i raportit tonë për Serbinë vitin e kaluar e deri sot, gjendja në vend është përkeqësuar më shumë. Situata është jashtëzakonisht e polarizuar dhe e mbushur me tensione. Ritmi i përgjithshëm i procesit të anëtarësimit në BE ka ngecur prej vitesh”, vlerësoi Picula në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku u diskutua rreth draft-raportit vjetor për Serbinë.

Sipas tij, Serbia si shtet kandidat duhet të angazhohet në mënyrë sistematike dhe strategjike drejt anëtarësimit të deklaruar në BE.

“Angazhimet deklarative në këto rrethana nuk mund të merren më si politikë serioze e mbylljes së syve apo e forcimit të stabilitetit si alibi nga disa aktorë evropianë. Ato nuk sollën rezultate në transformimin e vendit, përkundrazi, fatkeqësisht e larguan atë nga anëtarësimi”, tha ai.

“Edhe pse Serbia ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përfaqëson qëllimin e saj strategjik, ne shohim që detyrimet e marra shpesh nuk pasqyrohen në praktikë, siç është rasti i mosshkuarjes në samitin BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar, por edhe pjesëmarrjes në paradën ushtarake në Moskë në maj të kaluar”, shtoi Picula.

Duke folur për lirinë e mediave, raportuesi për Serbinë vlerësoi se gjendja në këtë fushë është “tronditëse në shumë nivele”.

Ai dënoi përshkallëzimin e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, të cilat, sipas tij, “po kthejnë vendin në kohë të errëta”.

SHARE