Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, do të udhëheqë delegacionin që të martën, më 17 mars, do të marrë pjesë në Konferencën Ndërqeveritare mes Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, ku do të mbyllet kapitulli negociues 21 – Rrjetet Trans-Evropiane, që i përket klasterit të katërt.
Kjo është bërë e ditur nga Kabineti i Kryeministrit.
Politika e kapitullit për Rrjetet Trans-Evropiane synon përmirësimin dhe zhvillimin e sistemeve të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit në përputhje me standardet evropiane.
“Mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare dhe mbyllja e përkohshme e kapitullit 21 konfirmon përkushtimin e Malit të Zi për zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse dhe përfaqëson një sinjal të rëndësishëm besimi nga Bashkimi Evropian ndaj progresit të arritur”, thuhet nga Kabineti i Kryeministrit.
Pas Konferencës Ndërqeveritare, kryeministri Spajiq, komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos dhe zëvendësministrja për çështje evropiane e Qipros, Marilena Raouna, do të mbajnë një konferencë për media në orën 19:00.
Vizita në Bruksel do të jetë gjithashtu një mundësi për takime me zyrtarë të institucioneve evropiane.
Kryeministri do të marrë pjesë edhe në konferencën e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm “Nga njohuritë te ndikimi” (Konferenca FIMI 2026).
Në delegacionin e kryeministrit Spajiq do të jenë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ervin Ibrahimoviq, ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq, ministri i Detarisë dhe koordinatori i punës së Ministrisë së Transportit Filip Radulloviq, si dhe kryenegociatori Predrag Zenoviq.











