DUKAJ: KAPITALI NJERËZOR, ÇELËSI I PROFESIONALIZIMIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, theksoi se forca e kapaciteteve njerëzore është një nga parakushtet kryesore për profesionalizimin dhe depolitizimin e administratës shtetërore.

Ai nënvizoi se shteti duhet të investojë më shumë tek njerëzit për t’u përballur me sfidat bashkëkohore dhe për të avancuar reformat e nevojshme.

Dukaj, në një intervistë për TVMZ, bëri të ditur se Ministria e Administratës Publike ka parashikuar për këtë vit punësimin e deri në dhjetë ekspertëve të rinj, kryesisht në fushat e infrastrukturës, teknologjisë së informacionit (IT) dhe sigurisë kibernetike.

Ai sqaroi se për vitin e ardhshëm do të jetë e nevojshme punësimi i një numri edhe më të madh specialistësh, duke përmendur të paktën 20 ekspertë të IT-së për të përfunduar projektin e portofolit digjital, si pjesë e agjendës së reformave.

Ai theksoi se mungesa e stafit të kualifikuar nuk është problem vetëm në digjitalizim, por edhe në sektorë të ndryshëm të administratës publike, përfshirë drejtësinë, sigurinë, financat dhe shërbimet ligjore. Sipas ministrit, zhvillimi i kapacitetit njerëzor është thelbësor: sa më shumë të investohet tek njerëzit, aq më i fuqishëm dhe i qëndrueshëm do të jetë shteti.

Dukaj gjithashtu vuri në dukje vështirësitë për të mbajtur dhe tërhequr ekspertë të kualifikuar për shkak të konkurrencës nga sektori privat dhe organizatat ndërkombëtare, duke shtuar se zgjidhja qëndron në reformat sistemike dhe ligjore që motivojnë profesionistët më të mirë të bëhen pjesë e administratës shtetërore.

Në fund, ministri Dukaj theksoi se progresi i Malit të Zi në rrugën evropiane varet nga këta individë, dhe se arritjet e vendit gjatë viteve të fundit nuk janë vetëm meritë e ministrave apo funksionarëve, por e njerëzve që punojnë brenda administratës shtetërore, të cilët mbajnë dhe do të mbajnë barrën kryesore të proceseve të reformës.

SHARE