Foto: PKCG
Komunat në Mal të Zi kanë theksuar rëndësinë e përmirësimit të ambientit të biznesit dhe gatishmërinë për të modernizuar administratën lokale, gjatë konferencës „Administrata lokale efikase për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian“ të mbajtur më 13 mars në Dhomën e Tregtisë së Malit të Zi.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, nënvizoi se administrata lokale që është e decentralizuar, e digjitalizuar dhe transparente nuk është vetëm një “shërbim”, por një motor i zhvillimit ekonomik dhe partner kyç në implementimin e standardeve evropiane.
Ai shtoi se Ministria, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, po realizon projekte për digjitalizimin e shërbimeve lokale, trajnime për punonjësit e administratës, krijimin e sistemeve për shkëmbimin e të dhënave dhe përgatitjen e komunave për të përfituar fonde evropiane për investime.
Emin Haxhi, sekretar i Sekretariatit për Zhvillim dhe Projekte në Tuz, theksoi se administrata lokale ka bërë hapa të mëdhenj për përmirësimin e ambientit të biznesit, duke ulur taksat komunale rreth 50%, forcuar bashkëpunimin me komunitetin e biznesit dhe krijuar platformën “Biznes Tuzi”, e cila ofron informacion të qartë për investitorët mbi lokacionet dhe mundësitë e investimit.
Ky proces është pjesë e iniciativës Business Friendly Certification, e cila ka ndihmuar Tuzin dhe komunat e tjera, si Tivar, Zhablak dhe Bijello Pole, të rrisin efikasitetin, transparencën dhe të krijojnë një mjedis më të favorshëm për investime dhe zhvillim ekonomik. Përmes kësaj iniciative, administratat lokale kanë mundësinë të modernizojnë procedurat, të përmirësojnë partneritetin me biznesin dhe të forcojnë kapacitetet për menaxhimin e projekteve të financuara nga fondet evropiane, duke e bërë kështu Malin e Zi më të afërt me standardet e Bashkimit Evropian.












